top of page

Vargjet më të bukura për fëmijë

  • Ylberi Blog
  • Feb 3, 2019
  • 2 min read

Keci Që S'bëri Detyrat

Doli dielli, hyri hëna - Çohu, kecush! - i thotë nëna. - Çohu, gjumash! - i thotë babi. Keci s'tundet nga krevati.


Ora për shkollë afrohet, keci nis edhe ankohet: - O, lele, po më dhemb gishti, më dhemb veshi, më dhemb... bishti!

Nëna dhi, e shqetësuar, mjeke Shytën ka njoftuar. erdhi mjekja, djersë e tëra, me ilaçe, me gjilpëra.

Pas vizitës, mjekja tha: - Kec Larushi dhembje s'ka, një sëmundje tjetër del, me sa duket, është dembel.

U nxeh cjapi mjekërhollë: - Shpejt, dembel nisu në shkollë! Nisi keci prapë ankimet: - Si të shkoj, s'kam bërë mësimet!

Ju s'e dini se ç'pësoi, që mësimet s'i mësoi. Unë e di, në dëshironi, ktheni fletën ta mësoni...

Dje, si hëngri drekën, edhe ëmbëlsirën, na u mbyll në dhomë të bënte detyrën.

Penën shpejt e kapi, fletoren e hapi, hapi Abetaren, çeli dhe dritaren.

Ndoshta s'i mësohet se erdhi pranvera, pa i ikën mendja në kodrat me ferra.

Ngaqë nuk i rrihej, detyrën sa nisi, i bëri dy njolla, dy faqe i grisi...

Ja, përtej dritares, ulur mbi një tel, na paska qëndruar një zog harabel.

Sa e pa, kecushit i qeshi fytyra: "Do vë harabelin të më bëjë detyrat".

- Hyrë brenda, pse rri jashtë? Kam dëshirë të lozim bashkë.

-Ci, ci, ci, ti e di, s'mund të lozim ne tani. Ule kokën, lexo, shkruaj, bëj mësimet, pastaj luajm'!

- Harabel-o, ci, ci, ci, a mi bën detyrat ti?

Harabeli u zemërua: - S'të vjen turp, kështu më thua?! Rrahu krahët u largua...

Nën dritare shkon një viç. - Viç, o viç, mu, mu, mu, eja lozim tok këtu!

- Kec i vogël, ti e di, s'mund të lozim ne tani. Ule kokën lexo, shkruaj, bëj mësimet, pastaj luajm'!

- O viçok, të kam shok, a m'i bën detyrat sot?

Edhe viçi u zemërua: - S'të vjen turp kështu ç'më thua?! Nxitoi këmbët, u largua...

Në oborr, mbi një shul, qenka ulur gjyshja plakë.

I thotë keci pulës-gjyshe: - Fute këmbën pak në shishe...

- Ka, ka, ka, ç'janë këto?! Shumë poshtë veten e ule, pranon shkrim me këmbë pule?

- Nëse s'shkruan dot me këmbë zgjate sqepin, shkul një pendë; shkul një pendë nga më të mirat edhe shpejt më bëj detyrat!

Gjyshe pula u zemërua: - S'të vjen turp, kështu ç'më thua?! Kot po lutesh, o kecush, detyrat s'ti bën askush!...

Erdhi mbrëmja pa kuptuar, keci ngeli pa mësuar.

Pasi priti, priti shumë, hëngri darkën, ra në gjumë.

- Tak - tak - tak!- dera troket, mendon keci: "Kush të jetë?!" - Jam postieri, hape shpejt, sjell një zarf me tri vula: "Harabeli", "Viçi", "Pula".

Keci zarfin shpejt e mori, mua letrën nuk ma nxori. Unë prita u vonova, po dot letrën s'e lexova. Ende nuk e kam mësuar... Kush e di... Çfarë i kanë shkruar?!

(c) Tasim Gjokutaj
 
 
 

Comments


© 2019 nga Ylberi Blog

Playing with Matches
A Natural Girl
Sun
Earth
Drawing of Rabbit
Alphabet

Gjithë tekstet, imazhet dhe materialet audio-vizuale në këtë faqe, perveç rasteve kur shkruhet shprehimisht e kunderta, janë pronë intelektuale e Ylberi blog. Kopjimi, riprodhimi dhe shpërndarja e kësaj përmbajtjeje pa lejen e shkruar të Ylberi blog është rreptësisht e ndaluar dhe dënohet me ligj.

bottom of page